blog-2

Te noterja, 70.000 lekë neto u bënë një diskutim për 15%-shin

Nga Blerina Legisi, ndërmjetësuese në Delta Ing Real Estate & Construction


Te noterja, 70.000 lekë neto u bënë një diskutim për 15%-shin

Nga Blerina Legisi, ndërmjetësuese në Delta Ing Real Estate & Construction

Te noterja, u ndalëm te pyetja se sa duhej të shkruanim në kontratë. Pronari kërkonte 70.000 lekë neto në muaj. Qiramarrësja kishte rënë dakord. Kur unë thashë se qiraja bruto dilte 82.352,94 lekë, filloi diskutimi...

Pronari më kishte besuar një ambient për ta dhënë me qira për biznes. Që në prezantimin e parë të pronës, ia kisha bërë të qartë qiramarrëses se 70.000 lekë ishte shuma që do të merrte pronari dhe se qiraja bruto do të ishte më e lartë. Në ditën e firmosjes, noterja kërkoi që në kontratë të pasqyronim shumën bruto. Unë pjesëtova 70.000 me 0,85. Pyetja që doli ishte e thjeshtë. Pse me pjesëtim? Pse të mos i shtojmë 15% dhe ta mbyllim?

I sugjerova qiramarrëses të fliste me ekonomisten e saj, që ta kontrollonim llogarinë bashkë. Përgjigjja që ekonomistja i dha klientes së vet erdhi menjëherë. Sipas saj, tatimi dilte 10.500 lekë. Arsyetimi ishte t’i shtonim 15% shumës prej 70.000 lekësh. Për mua, nxitimi për ta dhënë atë përgjigje ishte i papërgjegjshëm. Para se të jepte një shifër që klientja do ta merrte si të mirëqenë, mjaftonte të kontrollonte një kusht të marrëveshjes. Ato 70.000 lekë ishin neto.

Çfarë ndryshonte në ditën e pagesës ?

10.500 lekë është 15% e shumës prej 70.000 lekësh. Kaq do të ishte tatimi po të ishte 70.000 lekë qiraja bruto dhe tatimi të llogaritej mbi atë shumë. Në marrëveshjen tonë, pronarit duhej t’i mbeteshin 70.000 lekë pasi të mbahej tatimi. Kur norma 15% zbatohet mbi qiranë bruto, pronarit i mbeten 85% të saj. Prandaj, për të gjetur bruton, pjesëtova 70.000 ÷ 0,85. Qiraja bruto dilte 82.352,94 lekë, tatimi 12.352,94 lekë dhe pronarit i mbeteshin 70.000 lekë neto. 
Ligji nr. 29/2023, neni 58, pika 1, shkronja “d”, dhe neni 59⁠
https://tatime.gov.al/wp-content/uploads/2026/09/Ligj-Nr.-29-2023-Per-Tatimin-mbi-te-Ardhurat-i-ndryshuar.pdf

Po të ndiqnim llogarinë me mbledhje, do të shkruanim 80.500 lekë bruto. Pas mbajtjes së 15% mbi atë shumë, pronarit do t’i kalonin 68.425 lekë. Ai do të merrte 1.575 lekë më pak çdo muaj nga sa ishte rënë dakord.

Më pas, ekonomistja ngriti çështjen e vlerës minimale të referencës. Kontrolli i referencës ishte me vend dhe ne e kishim bërë përpara se të shkonim te noterja. Qiraja bruto e përllogaritur ishte mbi minimumin që zbatohej për atë ambient. Kështu, referenca nuk e ndryshonte llogarinë në rastin tonë. Këto janë kontrolle që i bëj që gjatë përgatitjes së marrëveshjes, sepse dua të di mbi çfarë baze po ua paraqes shifrat palëve.  
VKM nr. 469, datë 3.6.2015, pikat 2 e vijues⁠
https://tatime.gov.al/wp-content/uploads/2026/09/VKM-Nr.469-date-3.6.2015.pdf

Kush e paguan Tatimin në Burim 15%?

Në punën time, pyetja “Kush e paguan 15%-shin?” del po aq shpesh sa pyetja për llogarinë. Kur një biznes merr me qira nga një individ, tatimi lidhet me të ardhurën e qiradhënësit. Biznesi qiramarrës e mban nga pagesa e qirasë, e deklaron dhe e derdh te Tatimet. Më poshtë janë katër rastet e zakonshme me palë rezidente në Shqipëri. Në skemë, biznesi vepron si subjekt i regjistruar në atë marrëdhënie qiraje.  
Ligji nr. 29/2023, nenet 56, 58 dhe 59⁠ · Udhëzimi i Administratës Tatimore, pikat 58.4.1–58.4.3⁠ 
https://tatime.gov.al/wp-content/uploads/2026/09/Ligj-Nr.-29-2023-Per-Tatimin-mbi-te-Ardhurat-i-ndryshuar.pdf
 

Skema e tatimit në burim për qiranë 15%Kam pasur edhe raste mes dy bizneseve kur është kërkuar t’i shtohet qirasë 15% me arsyetimin se qiradhënësit do t’i dalë tatim mbi fitimin në fund të vitit. Qiradhënësi mund t’i marrë parasysh kostot e veta kur negocion çmimin e qirasë. Detyrimi për tatimin mbi fitimin trajtohet sipas regjimit të biznesit dhe nuk i krijon qiramarrësit detyrim të mbajë 15% në burim për qiranë mes dy bizneseve rezidente.  Ligji nr. 29/2023, kreu III⁠ · Udhëzimi, pika 58.4.1
https://tatime.gov.al/wp-content/uploads/2026/09/Ligj-Nr.-29-2023-Per-Tatimin-mbi-te-Ardhurat-i-ndryshuar.pdf⁠

Çfarë mbroj kur këmbëngul te një shifër

Kam lexuar qindra kontrata qiraje. Kam hasur shpesh noterë që pranojnë të shënojnë vetëm neton, sepse kështu e kërkon njëra palë. Pronari e sheh menjëherë sa do të marrë. Qiramarrësit i duhet po aq qartë sa do të paguajë gjithsej. VKM-ja kërkon që vlera mujore e qirasë të përcaktohet qartë në kontratën e noterizuar. Në punën time, kur marrëveshja është negociuar në neto dhe zbatohet mbajtja në burim, kërkoj që në kontratë të shënohen qiraja bruto, tatimi që mbahet dhe shuma neto që i kalon pronarit.  VKM nr. 469, datë 3.6.2015, pika 1
⁠https://tatime.gov.al/wp-content/uploads/2026/09/VKM-Nr.469-date-3.6.2015.pdf

Kam mbajtur vetë pasojat e gabimeve në përllogaritje në biznesin tim. Kam gjetur gabime edhe në llogari që ekonomistët kishin përgatitur për pronarë me të cilët kam punuar. Edhe unë kam bërë gabime dhe jam kthyer t’i korrigjoj. Kur del një udhëzim që prek punën time, e lexoj. Kur kam mundësi të trajnohem, e shfrytëzoj. Kur një shifër vihet në diskutim, dua të kthehemi te dokumenti dhe ta bëjmë llogarinë nga e para, nëse duhet. Këtë ia kërkoj vetes po aq sa ia kërkoj kujtdo me të cilin punoj.

Ndonjëherë tregohem e prerë. Më ka lodhur lehtësia me të cilën zhvlerësohet puna e ndërmjetësuesit, sidomos në ditën e firmosjes, kur pjesa më e madhe e saj është bërë tashmë. Para asaj dite ka pasur vizita, telefonata dhe biseda për të kuptuar çfarë pranon secila palë. E dua këtë profesion dhe punoj çdo ditë të bëhem më e mirë në të. Për mua, përgjegjësia ndaj të dyja palëve shihet edhe te gatishmëria për t’u kthyer te një shifër, sado herë të duhet, derisa të dy ta kuptojnë çfarë po firmosin.

Si lindi kalkulatori i Delta Ing

Raste si ky, puna e përditshme dhe trajnimet që kemi bërë si ekip na kanë ndihmuar të përmirësojmë mënyrën si i bëjmë dhe si i shpjegojmë këto llogari. Përllogaritjen që përdornim në punën tonë e kthyem në një kalkulator publik. Mund ta përdorë një pronar që negocion në neto, një qiramarrës që po llogarit kostot e biznesit ose një koleg ndërmjetësues që do t’ua tregojë shifrat palëve që në prezantimin e parë.

Kalkulatori punon nga neto në bruto dhe nga bruto në neto për rastet kur zbatohet tatimi 15%. Statusi i palëve dhe vlera e referencës verifikohen për kontratën konkrete.

Kur pronari thotë “dua 70.000 lekë neto”, qiramarrësi mund ta shohë aty për aty sa del brutoja. Të dy kanë kohë të bëjnë pyetje dhe ta kontrollojnë llogarinë. Kur të ulemi te noterja, secili duhet ta njohë në kontratë marrëveshjen që ka pranuar me vullnet të mirë.

Provoni kalkulatorin e Delta Ing dhe zbuloni vlerën neto, bruto dhe tatimin 15%.

👇 KLIKONI KËTU PËR TË PROVUAR KALKULATORIN 

https://deltaing-taxrentcalculator.netlify.app/